Çfarë na thonë TikTok-u dhe Tesla për pragmatizmin në ShBA dhe në Kinë? – Telegrafi


Nga: John Thornhill / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur Uashingtoni e sheh Kinën, është e prirë të shohë një superfuqi ideologjike, ndërhyrëse, një autoritare që favorizon kompanitë e veta teksa përmbys rivalët e huaj. Kur e sheh veten në pasqyrë, Uashingtoni e sheh ShBA-në si superfuqi pragmatike, kapitaliste, demokratike që përkrah fjalën e lirë dhe konkurrencën e fortë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për trajtimin e ngushtë të TikTok-ut në ShBA dhe të Tesla-s në Kinë, ato stereotipe duket se janë turbulluar. ShBA-ja është ajo që po bëhet më dogmatike, ndërsa Kina po bëhet më pragmatike.

Javën e kaluar, presidenti Joe Biden e nënshkroi ligjin që do ta ndalojë TikTok-un nga platformat amerikane, përveç nëse kompania e saj kineze, ByteDance, ia shet biznesin një blerësi të duhur. Në një shpërfaqje të rrallë të unitetit dypartiak, Kongresi argumentoi se sigurinë kombëtare e rrezikon pronësia e platformës së shpërndarjes së videove nga një kompani e lidhur me Kinën. Kush e dinte se janë kaq shqetësuese truket e magjistarit fluturues Zach King ose videot e sinkronizimit të buzëve të Bella Poarchit?

TikTok-u ofron shërbim të shkëlqyeshëm të videove të shkurta, i cili përdoret nga 170 milionë amerikanë dhe shtatë milionë biznese, gjë që shqetëson shumë rivalë amerikanë, si Instagram-in, YouTube-in dhe Snapchat-in, të cilët padyshim kanë hedhur helm në veshin e politikanëve. Ka bërë gjithashtu përpjekje të mëdha për të bindur ligjvënësit amerikanë se të dhënat e përdoruesve janë të sigurta dhe pa ndërhyrje të jashtme. Për gati tre vjet ka shpenzuar 1.5 miliard dollarë të dedikuara për ndërtimin e një infrastrukture të të dhënave në ShBA – në partneritet me Oracle-in.

Sidoqoftë, mbeten disa arsye të forta për ndalimin e TikTok-ut. E para është parimi i reciprocitetit. Pekini më parë i ka bllokuar aplikacionet e mediave sociale amerikane, duke përfshirë Facebook-un, Instagram-in dhe X-in në Kinë, kështu që vështirë se mund të kundërshtojë nëse Uashingtoni bllokon TikTok-un. Kompania gjithashtu pranon se punonjësit e ByteDance-it me bazë në Kinë, për qëllime operacionale kanë qasur disa të dhëna të TikTok-ut në ShBA. Një raport i fundit i FT-së theksoi se si gjatë dy vjetëve të fundit, ByteDance e kishte forcuar kontrollin mbi operacionet e TikTok-ut në ShBA.

Për më tepër, TikTok-u veçse e ka përforcuar frikën e Kongresit për ndërhyrje politike, teksa po bën fushatë kaq energjike kundër ndalimit. Studiuesit kanë zbuluar se, krahasuar me Instagram-in, ka tendencë që të minimizohen përmbajtjet në TikTok rreth Tajvanit dhe Ukrainës, ndërsa janë shtuar videot që jehojnë pikëpamjen zyrtare kineze dhe iraniane. “E vlerësojmë mundësinë e madhe se përmbajtja në TikTok ose do të përforcohet ose të shtypet në përputhje me interesat e qeverisë kineze”, thuhet në fund të raportit të botuar në dhjetorin e kaluar nga Instituti i Kërkimeve në Universitetin “Rutgers”. TikTok-u në atë kohë tha: “Raporti përdor metodologji të gabuar për të arritur në përfundimin e paracaktuar të rremë”.

Por, agresioni i ShBA-së ndaj TikTok-ut është në kontrast me akomodimin e Tesla-s nga Kina. Të dielën e kaluar, Elon Musku u takua me kryeministrin e Kinës, Li Qiang, ndërsa e arriti një marrëveshje të favorshme me gjigantin e teknologjisë Baidu, për të pasur qasje në sistemet e tij të hartës dhe navigimit. Ambicia e madhe e shefit ekzekutiv të Tesla-s është që ta kthejë kompaninë nga një harduer në central elektrik të softuerëve. Ngasja autonome do të jetë kritike për atë tranzicion dhe qasja në të dhënat kineze do të ndihmojë. Nëse Tesla mund ta zbatojë autonominë në një flotë të madhe makinash, kjo “mund të jetë ngritja më e madhe e vlerës së aseteve në histori”, foli Musku me entuziazëm, në konferencën e fundit të Tesla-s.

Është e qartë se pse Musku duhet të luajë mirë me Kinën. Pse Kina duhet të jetë reciproke, duke pasur parasysh shqetësimet e saj për rreziqet e sigurisë të flotës kineze të Tesla-s, kjo nuk është aq e qartë, sidomos kur prodhuesit vendas të automjeteve elektrike, si BYD, e shohin kompaninë amerikane si rival vdekjeprurës. Por, mund të ketë arsye të mira pragmatike për ta afruar Tesla-n.

Analistët sugjerojnë se Pekini është i prirë për të rindezur investimet e huaja, të cilat kanë rënë në nivelin më të ulët 30-vjeçar. Tesla, e cila fundosi më shumë se dy miliardë dollarë për ndërtimin e një fabrike gjigante në Shangai më 2019, ndërsa tani ka 1.6 milionë makina në rrugët kineze, mund të kontribuojë në përmbysjen e trendit. Investimi i Tesla-s ka stimuluar gjithashtu zhvillimin e industrisë kineze të automjeteve elektrike. Dhe, arritja e mirëkuptimit me Tesla-n, për sigurinë e të dhënave në makinat e ndërlidhura, mund të ndihmojë në anulimin e shqetësimit kur Kina i shet EV-të [veturat elektrike] e veta jashtë vendit.

Cilido qoftë qëndrimi i tyre retorik, ndoshta është naive të pritet konsistenca në pozicionet politike të Uashingtonit apo të Pekinit. Interesi vetjak normalisht se është udhëzues më i mirë për veprimet e çdo kombi, që do të thotë se të dy vendet ndonjëherë janë fleksibile në çështjet parimore. Kudo ku munden, ShBA-ja dhe Kina i përmbahen ligjit të pushtetit të identifikuar shumë shekuj më parë nga historiani grek Tukididi: “Të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet”. /Telegrafi/





Source link

Leave a Reply

Enable Notifications OK No thanks